Dita Evropiane për Jetesë të Pavarur 2017
Fondacioni “Sё Bashku” nё bashkёpunim me EU Policy Hub organizoi pёr herё tё parё nё Shqipёri njё tryezë të rrumbullakët nё kuadёr tё Ditёs Evropiane pёr Jetesё tё Pavarur, tё premten 5 maj 2017.
Kjo nismë u mbështet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA).
Fondacioni Së Bashku është anëtar i Rrjetit Evropian për Jetesë të Pavarur (ENIL) dhe në këtë kuadër synon që çdo vit të ndërmarrë aktivitete në kuadër të kësaj dite të rëndësishme. Këtë vit, për herë të parë u mbajt një tryezë e rrumbullakët gjithëpërfshirëse mbi sfidat që ka Shqipëria për të garantuar të drejtën për Jetesë të Pavarur për personat me aftësi të kufizuar.
Në panel foli:
-Suela Lala, Drejtore Ekzekutive/ Fondacioni “Sё Bashku”
-Z. Alessandro Angius, Përfaqësues i Delegacionit Evropian në Shqipëri
-Znj. Brunilda Paskali, Nënkryeare e Bashkisë Tiranë
-Znj Ilda Bozo, Përfaqësuese e Ministrisë sё Shёndetёsisё dhe Mbrojtjes Sociale
Takimi u moderua nga Z. Ҫelik Rruplli, përfaqësues i EU Policy Hub.
Në kuadër të kësaj nisme u realizuan tre video të shkurtra nga Anisa Proda, Suela Lala dhe Gersi Troka me temë domethënien që ka për ta Jetesa e Pavarur. Videot u shfaqën në fillim të tryezës së rrumbullakët dhe më pas u shpërndanë në median sociale. Në këtë tryezë morёn pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të mediave etj.
Jetesa e Pavarur u mundëson personave me aftësi të kufizuar të kenë të njëjtat liri zgjedhjeje dhe kontroll mbi jetën e tyre të përditshme, si të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë. Jetesa e Pavarur aplikohet për të gjitha llojet e aftësisë së kufizuar dhe mbështetet në disa shtylla siç janë ndihmësi personal, mjedisi pa barriera, jetesa në komunitet/ deinstitucionalizimi, mjetet ndihmëse, vendimarrja e mbështetur dhe e drejta për të vendosur ku dhe me kë të jetojmë. Shërbimet për jetesë të pavarur duhet të lënë hapësirë për fleksibilitet dhe të mbulojnë të gjitha aspektet e jetës së një njeriu.
Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar që në fund të vitit 2012. Neni 19 i kësaj Konvente trajton pikërisht Jetesën e Pavarur dhe jetën në komunitet.
Si rezultat i Konventës, në vitin 2014 u miratua ligji “Për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuara”. Një nga qëllimet e ligjit është mundësimi i Jetesës së Pavarur. Ligji përmban disa nene që jo vetëm përcaktojnë kuptimin e Jetesës së Pavarur, por parashikojnë edhe shërbimet e nevojshme për Jetesë të Pavarur, siç janë ndihmësi personal, mjetet ndihmëse, mjedisi pa barriera etj. Fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar katër vite nga miratimi i ligjit, ende nuk janë hartuar vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat do të hapnin rrugën për realizimin e shërbimeve për Jetesë të Pavarur, veçanërisht ndihmësit personal dhe mjeteve vendihmëse.