Shfaqja Teatrale: “Nuk do të doja të vdisja e Virgjër”
Kjo shfaqje është përshtatur për skenën, duke u bazuar në librin e shkruar nga Barbara Garlaschelli, shkrimtare italiane me aftësi të kufizuar. Shfaqja trajton zbulimin e seksualitetit, marrëdhëniet intime dhe “gruan” brenda një gruaje me aftësi të kufizuar. Kjo monodramë synon të jetë një rrëfim i kthjellët, i thjeshtë, pa klithma, që hedh dritë më shumë mbi ngjashmëritë sesa mbi dallimet, më shumë mbi emëruesin e përbashkët që është “njeriu” dhe ndjesitë e tij, që nuk kanë kufizim. Larg patetizmit, pjesa është e pasur me humor dhe autoironi.
“Nuk doja të vdisja e virgjër” u shfaq në datat 3, 4, 5 dhjetor 2021, ora 19.00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Arturbina.
Të ardhurat e siguruara nga shfaqjet shkuan për përmirësimin e aksesueshmërisë në një nga godinat publike në Bashkinë e Tiranës.
“Non volevo morire vergine” – “Nuk doja të vdisja e virgjër”
Libri “Non volevo morire vergine” fillon me një ndryshim të papritur në jetën e Barbaras, kur ajo ishte pak më shumë se pesëmbëdhjetë vjeç dhe humbet aftësinë për të ecur. Pesëmbëdhjetë vjeç është mosha e përplasjeve të para, rrahjeve të zemrës, dashurisë dhe zbulimit të trupit. Nga të gjitha humbjet, që aksidenti ka sjellë me vete, më i padurueshëm është mendimi për të mbetur e virgjër, përgjithmonë. Virgjëreshë jo vetëm në trup, por në përvoja, në jetë, gabime, suksese, dështime, udhëtime, rreze dielli. E armatosur me guxim, ironi dhe shumë kuriozitet, Barbara do të përballet me të gjitha revolucionet e imponuara nga gjendja e re, derisa ta rigjejë veten në një trup të ri. Në një vorbull situatash tragjikomike dhe djemsh e burrash të sikletshëm, bujarë, herë të butë, e herë mizorë, Barbara merr nismën të zbulojë dashurinë dhe seksin, me të njëjtat impulse, zhgënjime, entuziazëm që të gjitha gratë, edhe ato që ecin mbi dy këmbë, i dinë shumë mirë.
Kush është Barbara Garlaschelli?
Barbara Garlaschelli lindi në Milano, më 26 nëntor 1965 dhe është shkrimtare e blogere italiane. Në moshën 15 vjeçare për shkak të një zhytjeje në det, në ujë të cekët, ajo dëmton shtyllën kurrizore me pasojë tetraplegjinë. E diplomuar për Letërsi Moderne, në Universitetin Shtetëror të Milanos, ajo bëri debutimin e saj, në vitin 1993 me shkrimin “Tregime të fëmijëve, grave dhe vrasësve”, ndërsa në vitin 1995 ajo bëri debutimin e saj në shtyp, me “O qesh ose vdis”. Shkrimtare e gjithanshme, ajo ka shkruar në zhanre të ndryshme nga letërsia për fëmijë, e deri në shfaqjet në teatër. Ajo përshkroi me stil rrugëtimin e saj jetësor në librin “Sirena”. Garlaschelli ka fituar një sërë çmimesh në fushën e letërsisë si Scerbanenco, Ex aequo, Strega etj.
Çfarë synon shfaqja teatrale?
Shfaqja synon të sjellë në vëmendje të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në një këndvështrim ndryshe nga ajo që ne kemi hasur çdo ditë. Kjo shfaqje është një përpjekje për të hapur diskutime dhe me shpresë, gjithashtu mendjet tona, në lidhje me temën tabu të seksualitetit dhe marrëdhënieve intime të personave me aftësi të kufizuar.
Monodrama do të vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Arturbina, më 3, 4, 5 Dhjetor, ora 19:00. Vendosja në skenë e shfaqjes përkon me 16 ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një fushatë ndërkombëtare, që zhvillohet duke filluar nga 25 Nëntori (Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave) deri më 10 Dhjetor (Dita Ndërkombëtare e Të Drejtave Të Njeriut), duke përfshirë data të tjera të rëndësishme, si 3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar.
Fondacioni “Së Bashku”
Fondacioni “Së Bashku” është themeluar në vitin 2013 nga persona me aftësi të kufizuar me synim advokimin për të drejtat nën moton “Asgjë për ne, pa ne”. Kjo organizatë drejtohet nga aktivistja Znj.Suela Lala, gjithashtu person me aftësi të kufizuar/ përdoruese e karriges me rrota. Në fokus të punës së Fondacionit “Së Bashku” janë çështjet që kanë të bëjnë me eleminimin e barrierave në mjedis dhe promovimin e aksesueshmërisë, të drejtat zgjedhore për personat me aftësi të kufizuar, e drejta për Jetesë të Pavarur etj. Kjo organizatë synon të sjellë në diskursin publik sfidat, por dhe kontributet e personave me aftësi të kufizuar, duke u dhënë atyre vendin që u takon në shoqëri.
Çfarë bën UNFPA në Shqipëri?
UNFPA – Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë, ka prezencë në Shqipëri që prej vitit 1989. UNFPA ka mbёshtetur Shqipërinë për të përmirësuar shëndetin riprodhues dhe seksual, krahas strategjive dhe politikave për popullsinë dhe zhvillimin. Programet kryesore kontribuojnë nё pёrpjekjet e vendit pёr tё realizuar Objektivat e Zhvillimit tё Qёndrueshёm dhe pёr tё avancuar nё rrugёn pёr tu bёrё pjesё e Bashkimin Evropian (BE), një nga përparësitë kryesore të Shqipërisë. UNFPA gjithashtu ndihmon homologët e qeverisë në hartimin e kornizave të politikave gjithëpërfshirëse, zhvillimin e shërbimeve me cilësi më të lartë, përmirësimin e mekanizmave të standardizuar të mbikëqyrjes dhe nxitjen e një përdorimi më efektiv të të dhënave në planifikim dhe politikëbërje. Me gati gjysmën e popullsisë nën moshën 32 vjeç, UNFPA mbёshtet iniciativat që synojnë fuqizimin e tё rinjve dhe tё rejave pёr tё siguruar qё Askush tё Mos Mbetet Pas dhe tё gjithё tё gёzojne tё drejtat e tyre dhe tё fuqizohen pёr tё jetuar njё jetё pa dhunё!