Skip to content

Përurimi i plazhit të parë plotësisht të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar

Sipas Censusit të vitit 2011 numri i personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri është përllogaritur të jetë 173.600 qytetarë. Mendohet që ky numër të jetë edhe më i lartë. Personat me aftësi të kufizuar tashmë nuk janë më një minoritet. Askush nga ne nuk është i paprekshëm, gjithkush prej nesh mund të haset me vështirësi apo kufizime në një moment të jetës. Fondacioni “Së Bashku” një nga organizatat më aktive të shoqërisë civile sa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuar zbatoi projektin për të bërë të aksesueshëm një prej plazheve publike të Bashkisë Kavajë, plazhin e Golemit.

Ditën e mërkurë më datë 18 maj u përurua plazhi publik plotësisht i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar nga Fondacioni “Së Bashku”, me mbështetjen e Qeverisë Austrialiane dhe Bashkisë Kavajë. Ky plazh është i pari në llojin e tij dhe është pozicionuar 500m larg rrethrrotullimit të Golemit, Kavajë, duke sjellë të gjithë standardet e një plazhi publik plotësisht të aksesueshëm.

E gjithë rruga që të çon deri tek plazhi përbëhet nga sinjalistika e nevojshme për të identifikuarplazhin e aksesueshëm.  Në fillim të rrugës gjendet një rrogoz aksesi i cili është i rezistueshëm ndaj ujit dhe krijon akses deri në ujë për karrocat, personat që përdorin karrige me rrota, personat me vështirёsi shikim dhe këmbësorët. Krahas hyrjes së plazhit gjendet një dush i cili është i aksesueshëm për personat me të gjitha llojet e aftësive të kufizuara.

Gjithashtu, ky plazh ka një karrige me rrota lundruese plazhi që do të lejojë personat me aftësi të kufizuara fizike dhe tё moshuar për të shijuar detin. Ky plazh për herë të parë i jep mundësinë Bashkisë Kavajë për të marrë edhe Flamurin Blu ose siç njihet ndryshe edhe si “Blue Flag” duke qenë kështu një nga kriteret plotësuese për të marrë një çmim të tillë.

Fondacioni “Së Bashku” gjithashtu për herë të parë publikoi Manualin për plazhin e aksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar. Ky manual përmban legjislacionin Evropian për plazhet e aksesueshme, legjislacionin shqiptarë dhe institucionet ndërvepruese për të siguruar plazhin e aksesueshëm. Ky manual do të shërbejë në të ardhmen si një mjet zhvillimi për të patur sa më shumë plazhe të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë që edhe ata si e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, të kenë mundësi të jenë pjesë e jetës aktive dhe të shijojnë pushimet e tyre.

Të pranishëm në këtë aktivitet përurimi ishin Z.Redjan Krali, Kryetari i Bashkisë Kavajë, Z. Ledian Lako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare sё Bregdetit, përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, Eni Metaj nga Federata e Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, përfaqësues të komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, aktivistë, banorё në zonën e Golemit si edhe pushuesit e plazhit.

Font Resize
Play Video

Sing up for our emails and get inspiring stories about rebuild world delivered straight to your inbox.