Përmirësimi i zbatimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në zonat rurale në bashkitё Durrës, Krujë dhe Shijak.
Projekti “Përmirësimi i zbatimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në zonat rurale në bashkitё Durrës, Krujë dhe Shijak” zbatohet nga Fondacioni “Sё Bashku”, në kuadër të projektit “Zgjerimi i Shërbimeve të Ndihmës Juridike Falas për Gratë dhe Burrat në Shqipëri” financuar nga Austrian Development Cooporation dhe zbatuar nga UNDP Albania në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë.
Qëllimi i kёtij projekti është të rrisë aksesin në drejtësi, në zonat rurale në bashkitë Durrës, Krujë dhe Shijak, nëpërmjet edukimit mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, mbështetjes për ngritjen e ankesave ligjore dhe ndërgjegjësimit të aktorëve të ndryshëm në lidhje me zbatimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Nëpërmjet kësaj nisme përfituesit jo vetëm që do të informohen për të drejtat por edhe do t’u jepet asistencë ligjore për të ngritur ankesa për diskriminim apo për të paraqitur një kërkesë pranë institucioneve përgjegjëse dhe do të fuqizohen të veprojnë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Gjithashtu, institucionet ligjzbatuese dhe agjencitë e tjera vendore do të mblidhen në një tryezë tё rrumbullakёt për të diskutuar mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Qarkun e Durrësit.
Nёpёrmjet medias sociale dhe medias tradicionale do të sjellim diskutimin e të drejtave të aftësisë së kufizuar në sferën publike.
Gjatë gjithë projektit do të bashkëpunojmë ngushtë me Qendrën e Ndihmёs Juridike Falas në Durrës.
Rezultatet e pritshme janë:
- Personat me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe komunitetet në gjashtë njësi administrative (2 njësi administrative rurale për çdo bashki) do të kenë njohuri më të mira për të drejtat dhe mekanizmat e ankesave dhe do të mund të paraqesin ankesa dhe shqetësime ligjërisht nëpërmjet juristes tonë.
- OSHC vendore do të kenë kapacitete të pёrmirёsuara për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara në njohjen e të drejtave dhe mekanizmave të ankesës që mund të përdoren për t’i adresuar ato.
- 20 raste dhe ankesa të personave me aftësi të kufizuara në këto komunitete do të trajtohen ligjërisht pranë institucioneve.
- Kapacitetet e institucioneve publike në adresimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, do të përmirësohen përmes diskutimit në tryezë tё rrumbullakёt, tё sfidave dhe praktikave të mira.
- Publiku i gjerë do të jetë më i informuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, mekanizmat e ankesave dhe mundësitë pёr ndihmë juridike falas, përmes paraqitjeve në media.
#accesstojustice; #legalaid; #legaleducation #aksesinedrejtesi; #ndihmeligjore #edukimligjor