Skip to content

Shfaqja teatrale “Nuk doja të vdisja e virgjër” në Krujё dhe Lezhë

Fondacioni “Sё Bashku”, me mbështetjen financiare të Credins Bank, ka ndërmarrë nismën për të sjellë shfaqjen teatrale “Nuk doja të vdisja e virgjër”, për herë të parё në Krujё dhe Lezhë.

Regjia: Gjergj Mena

Aktore kryesore: Ina Gjonçi + 4 aktorё tё rinj

NUK DOJA TË VDISJA E VIRGJËR!

Kjo shfaqje është përshtatur për skenën, duke u bazuar në librin e shkruar nga  Barbara Garlaschelli, shkrimtare italiane me aftësi të kufizuara. Shfaqja trajton zbulimin e seksualitetit, marrëdhëniet intime dhe “gruan” brenda një gruaje me aftësi  të kufizuar. Kjo monodramë synon të jetë një rrëfim i kthjellët, i thjeshtë, pa klithma, që hedh dritë më shumë mbi ngjashmëritë sesa mbi dallimet, më shumë mbi emëruesin e përbashkët që është “njeriu” dhe ndjesitë e tij, që nuk kanë kufizim. Larg patetizmit, pjesa është e pasur me humor dhe autoironi.

“Nuk doja të vdisja e virgjër” do të shfaqet në Krujё dhe Lezhë gjatë vjeshtës së vitit 2023.

“Non volevo morire vergine” – “Nuk doja të vdisja e virgjër”

Libri “Non volevo morire vergine” fillon me një ndryshim të papritur në jetën e Barbaras, kur ajo ishte pak më shumë se pesëmbëdhjetë vjeç dhe humbet aftësinë për të ecur. Pesëmbëdhjetë vjeç është mosha e përplasjeve të para, rrahjeve të zemrës, dashurisë dhe zbulimit të trupit. Nga të gjitha humbjet, që aksidenti ka sjellë me vete, më i padurueshëm është mendimi për të mbetur e virgjër, përgjithmonë. Virgjëreshë jo vetëm në trup, por në përvoja, në jetë, gabime, suksese, dështime, udhëtime, rreze  dielli. E armatosur me guxim, ironi dhe shumë kuriozitet, Barbara do të përballet me të gjitha revolucionet e imponuara nga gjendja e re, derisa ta rigjejë veten në një trup të ri. Në një vorbull situatash tragjikomike dhe djemsh e burrash të sikletshëm, bujarë, herë të butë, e herë mizorë, Barbara merr nismën të zbulojë dashurinë dhe seksin, me të njëjtat impulse, zhgënjime, entuziazëm që të gjitha gratë, edhe ato që ecin mbi dy këmbë, i dinë shumë mirë.

Kush është Barbara Garlaschelli?

Barbara Garlaschelli lindi në Milano, më 26 nëntor 1965 dhe është shkrimtare e blogere italiane. Në moshën 15 vjeçare për shkak të një zhytjeje në det, në ujë të cekët, ajo dëmton shtyllën kurrizore me pasojë tetraplegjinë. E diplomuar për Letërsi Moderne, në Universitetin Shtetëror të Milanos, ajo bëri debutimin e saj, në vitin 1993 me shkrimin “Tregime të fëmijëve, grave dhe vrasësve”, ndërsa në vitin 1995 ajo bëri debutimin e saj në shtyp, me “O qesh ose vdis”. Shkrimtare e gjithanshme, ajo ka shkruar në zhanre të ndryshme nga letërsia për fëmijë,  e deri në shfaqjet në teatër. Ajo përshkroi me stil rrugëtimin e saj jetësor në librin “Sirena”. Garlaschelli ka fituar një sërë çmimesh në fushën e letërsisë si Scerbanenco, Ex aequo, Strega etj.

Çfarë synon shfaqja teatrale?

Shfaqja synon të sjellë në vëmendje të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në një këndvështrim ndryshe nga ajo që ne kemi hasur çdo ditë. Kjo shfaqje është një përpjekje për të hapur diskutime dhe me shpresë, gjithashtu mendjet tona, në lidhje me temën tabu të seksualitetit dhe marrëdhënieve intime të personave me aftësi të kufizuar.

#NukDojaTëVdisjaEVirgjër # Krujё #Lezhë

#FondacioniSëBashku #CredinsBank

Font Resize
Play Video

Sing up for our emails and get inspiring stories about rebuild world delivered straight to your inbox.